Qudira nga BoTa: Morti kthehet në “festë”, e shpallën të vdekur, burri ishte për punë në Tiranë

Sunday, November 4, 2012

--
Morti kthehet në “festë”, e shpallën të vdekur, burri ishte për punë në Tiranë

SHKODËR -Gabimi në identifikimin e një kufome ka bërë që në Shkodër, një familje të hapë mortin për të zotin e shtëpisë. E ndërsa në qytetin verior ishin vendosur lajmërimet e vdekjes për 51-vjeçarin, ishte caktuar ora 11:00 për ceremoninë mortore dhe njerëzit kishin nisur të vinin për të përcjellë trupin e pajetë, ndodhi mrekullia. Mbërrin lajmi se i zoti i shtëpisë ishte shëndoshë e mirë në Tiranë dhe madje kishte lajmëruar familjen që t’i dilnin para, pasi kishte blerë shumë mall. Për pak minuta askush nuk dinte se çfarë të thoshte dhe si të reagonte. Situata absurde e këtij keqkuptimi kishte lidhje me disa koincidenca. Para 3 ditësh në Shkodër kishte ndodhur një aksident rrugor, ku kishte humbur jetën një person rreth të 50-tave i paidentifikuar.
AKSIDENTI
Sipas policisë lokale, aksidenti kishte ndodhur afër Bexhistenit, në hyrje të Shkodrës, ku ishte dhe një vendqëndrim për furgonët që vinin nga Tirana. Nga ana tjetër 51-vjeçari, me profesion hidraulik kishte shkuar në Tiranë për të blerë mall dhe familja e priste të vinte nga Tiranë dhe të ndalej pikërisht tek Bexhisteni. Në kohën që do të vinte furgoni nga Tirana, ka ndodhur aksidenti. Për shkak të përplasjes së fortë, personi i aksidentuar kishte dëmtime të shumta në fytyrë dhe trup dhe ishte i pamundur dallimi i saktë i tipareve. Nisur nga këto rrethana, familjarët të tronditur kanë deklaruar se personi i aksidentuar ishte njeriu i tyre, aq më shumë që mes viktimës dhe kryefamiljarit kishte shumë ngjashmëri fizike.
MORTIKaq ka mjaftuar që në shtëpinë në lagjen “Salo Halili” të Shkodrës të hapej lajmi i vdekjes për të zotin e shtëpisë dhe të nisin përgatitjet për ceremoninë. Pasi janë kryer formalitetet, është sjellë dhe trupi i pajetë në arkivol. Por tmerri dhe trishtimi i familjarëve fatmirësisht nuk ka zgjatur shumë, pasi një telefonatë ka zgjidhur gjithçka. Telefoni i 51-vjeçarit ishte fikur për shkak të baterisë dhe ai kishte telefonuar nga një numër tjetër. Ai ishte shëndoshë e mirë dhe kishte qëndruar një natë në Tiranë për të bërë furnizim me mall. Sakaq është bërë transportimi i trupit të pajetë i të aksidentuarit sërish në morgun e spitalit të qytetit të Shkodrës.
VIKTIMAVazhdon të mbetet i paidentifikuar personi që humbi jetën mëngjesin e 1 nëntorit për shkak të një aksidenti rrugor. Viktima është një burrë rreth të 50-tave dhe sipas njoftimit të bërë nga policia, jepen edhe shenja për identifikim. Ai ka të veshur një xhup ngjyrë gri dhe pantallona ngjyrë kafe. Aksidenti ka ndodhur në hyrje të qytetit të Shkodrës në vendin e njohur si Bexhisteni, rreth orës 23:00 të së mërkurës. Makina që ka shkaktuar aksidentin është larguar me të shpejtë duke lënë të aksidentuarin në rrugë. Burime nga policia sqarojnë se është bërë i mundur identifikimi i mjetit, por për arsye hetimi nuk jepen detaje. Kanë qenë kalimtarë të rastit që kanë parë personin të shtrirë në tokë dhe e kanë dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Gjendja e tij kritike ka bërë që në mëngjesin e së enjtes ai të ndërrojë jetë.raporton Qudira Nga Bota 2