Një djalë i ri është rrëmbyer me ushtrim dhune dhe më tej është transportuar i izoluar me makinë dhe mbajtur peng duke u detyruar që të kryejë veprime të kërkuara përmes kërcënimeve nga agresorët e tij. Ngjarja ndodhi dje në orën 14.00 në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytetin Prishtinë.
I riu shqiptar, identiteti i të cilit nuk jepet nga Policia e Kosovës, ka qenë duke lëvizur në rrugën qendrore të Prishtinës, në mes të ditës, kur papritur u rrethua nga dy burra të tjerë, gjithashtu shqiptarë të Kosovës, të cilët e rrëmbyen me dhunë.
Dy agresorët e kanë privuar nga liria viktimën duke e futur me dhunë në një veturë dhe e kanë dërguar në një vend tjetër.
Më tej gjatë mbajtjes peng, autorët kanë bërë kërkesa ndaj pengut të tyre. Dhe nga viktima kanë kërkuar të telefonojë te motra e tij për t’i dërguar një borxh prej 200 eurosh.
Policia e Kosovës tha se mori sinjalizime lidhur me rrëmbimin dhe ka arritur që të sigurojë jetën e personit të marrë peng. Të dyshuarit janë arrestuar dhe në konsultim me Prokurorin pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.(Qudira Nga Bota 2)