Qudira nga BoTa: Çfarë është lumturia

Sunday, August 26, 2012

--
Çfarë është lumturia

Besoj bini dakord që një përgjigje e menjëhershme e gjithëpërfshirëse për këtë pyetje nuk do të ishte e lehtë. Kjo pasi çdokush i aftë për të gjykuar, ka një mënyrë të vetën peshimi e interpretimi të lumturisë, që ndikohet si nga niveli i mprehtësisë së mendimit, sikurse edhe nga përvojat jetësore.


Jorida Rustemi
Magjistër në Psikologji Klinike dhe Këshillim
Personalisht, në formë të thjeshtuar, lumturinë do ta konceptoja si një formë guximi për ta lënë vetën të lirë për të jetuar e përjetuar. Tashmë besoj e keni të pranuar idenë se mënyra si gjykojmë ka ndikim në sjelljet tona. Një gjë është e sigurt: ata që priren të jenë të lumtur, e përballojnë jetën në mënyrë më të vendosur e pozitive. Zgjidhja është te ju ...
Autorët e psikologjisë pozitive, ata që studiojnë personat e lumtur, thonë se kanë analizuar sjelljet e tyre për t'i bërë ato të kuptueshme dhe nga të tjerët. Le të hedhim një vështrim mbi dijet shkencore që zotërojmë në nivel shkencor mbi lumturinë.
1. Lumturia ekziston dhe është e matshme 
Studimet tregojnë se 90% e francezëve, 50% e anglezëve, dhe 42% e amerikanëve, deklarojnë se janë të lumtur për jetën që bëjnë. Përveç këtyre statistikave mund të thuhet se edhe shkenca e pohon që lumturia ekziston. Studimet më të fundit shkencore kanë vërtetuar hipotezën se emocionet pozitive përkthehen në një rritje të aktivitetit neutral në lobin prefrontal të majtë, (pjesa përkatëse e kores së trurit nën anën e majtë të ballit), gjë kjo lehtësisht e matshme përmes instrumenteve përkatëse.
Lumturia, ose të paktën ideja e lumturisë, është e domosdoshme për të jetuar. Kur jetohet një moment i bukur, ritmi kardiak zvogëlohet, kimia e trupit dhe sistemi imunitar përmirësohen. Kush është i lumtur ka më shumë imunitet ndaj sëmundjeve. Lumturia pra është një impuls jetësor, që na bën mirë e na motivon për të bërë përpara.
2. Nuk është e standardizuar 
Një lajm tjetër i mirë është se lumturia nuk pyet për moshën, gjininë, pamjen, paratë, nivelin e inteligjencës apo arsimin. Të gjithë njohim raste të kronikës që na thonë se personazh e shumë të njohur dhe të realizuar kalojnë në vetëvrasje, bëhen viktima të drogës dhe varësive të ndryshme. Ndërkohë që ka plotë të tjerë që fatkeqësitë i kanë ndihmuar të bëhen më të ndërgjegjshëm për çfarë gëzojnë.3. A mund të parashikohet? 
Vështirë se mund të ndodhë, e kjo për një arsye të thjeshtë. Kur mendojmë rreth lumturisë imagjinojmë të ardhmen bazuar në të shkuarën. Por kujtesa në këtë rast na mashtron disi...Ashtu si dashuria, karriera dhe çdo gjë tjetër në jetë edhe lumturia është çështje metode, rregulli i parë i së cilës është të shmangësh kurthin e dëshirave të pamundura.
4. Gjendet në lidhje me të tjerët 
Lidhjet njerëzore dhe sasia e kohës që kalohet me miqtë dhe familjarët janë treguesit më të mëdhenj të lumturisë. Ndërsa vetmia afektive është burimi më i madh i palumturisë. Kur janë të lumtur, njerëzit kanë dëshirë të flasin, të rrinë me të tjerët, të kultivojnë dashuri. Dhe aspak për çudi, ndjesia më e lumtur, "orgazma trunore", nuk është e lidhur me seksin, por me "të ndjerit i dashur e i respektuar".
5. Kërkohet përpjekje 
Lumturia është një sfidë, kërkon përpjekje dhe ka ligjet e saj të forta: të duash shumë veten, të dëgjosh, të respektosh, të jesh pranues e jogjykues ndaj të tjerëve. Personat që e pranojnë veten ashtu siç janë, edhe kur janë të predispozuar për të ndryshuar, janë më të lumtur. Në fund të fundit lumturia nuk vjen vetiu: disa e ndjekin, ndërsa disa të tjerë e krijojnë.
Një gjë është e sigurt: ata që priren të jenë të lumtur, e përballojnë jetën në mënyrë më të vendosur e pozitive. Zgjidhja është te ju...