Qudira nga BoTa: Jetë o jetë, skandalet në RTK !

Saturday, September 15, 2012

--
Jetë o jetë, skandalet në RTK !


Radio Televizioni i Kosovës ua vazhdon kontratat produksioneve të jashtme duke mos e respektuar ligjin. Këto produksione i marrin RTK-së miliona euro, madje edhe për produkte që transmetohen disa minuta më herët në televizione tjera. RTK në disa raste nuk e ka shmangur konfliktin e interesit duke i përzgjedhur produksionet, ose angazhuar individë që kanë lidhje miqësie ose familjare me menaxhmentin, Bordin dhe politikanët,shkruan Preportr.
Radio Televizioni i Kosovës i shpenzon paratë e Buxhetit të Kosovës për të paguar produksione të jashtme që i kushtojnë miliona euro, e që madje në disa raste nuk e ka ekskluzivitetin për to. Ky televizion që financohet nga Buxheti i Kosovës, dhe një shumë jo fort të madhe nga marketingu, ka nënshkruar kontrata në vlerë prej qindra-mijëra eurove me produksionet e jashtme,për emisione të cilat jo shpesh i kanë plotësuar pritjet e teleshikuesve.
Shpesh këto produksione u janë dhënë miqve të menaxherëve dhe ish-menaxherëve ose familjarëve të politikanëve, dhe jo rrallë janë shoqëruar me konflikte interesi.
Përveç që këto produksione nuk kanë sjellë diçka serioze, ato edhe më tutje vazhdojnë t’i marrin mjete RTK-së, edhe pse kjo e fundit po përballet me krizë të thellë financiare.
Sipas Sindikatës së RTK-së dhe ekspertëve të medieve, kontratat që RTK i ka lidhur janë të jashtëligjshme dhe jotransparente. RTK kurrë nuk ka treguar se mbi çfarë baze i ka lidhur këto kontrata dhe mbi çfarë baze i ka vazhduar ato që prej disa vitesh. Ekspertët kujtojnë se në këtë mënyrë RTK po ua pamundëson produksioneve të tjera t’ua ofrojnë produktet e tyre transmetuesit publik, ashtu siç kjo çështje është e rregulluar me ligj.
Konkursi i fundit dhe i vetmi që RTK e ka hapur për produksione të jashtme, ka qenë në vitin 2010. Këto produksione ishin transmetuar në vitin 2011, shumica prej tyre seriale. Në këto seriale kanë qenë të angazhuar edhe anëtarë të Bordit të drejtorëve të RTK-së, ose miq e punëdhënës të tyre.
Në këtë vit nuk ka pasur një konkurs të tillë, pasi menaxhmenti në vazhdimësi është ankuar për mungesë buxheti dhe ua ka vazhduar kontratat produksioneve që i kanë lidhur kontratat në vitet e kaluara. Nga këto produksione, njëri është larguar.
Ajo që ka marrë vesh “Preportr” është se njëri prej produksioneve të jashtme, mbase edhe më i pëlqyeri “Osigjeni”, prej shtatorit nuk do të transmetohet më në këtë televizion. Ky shou do të transmetohet në Kohavizion.
“Preportr”, ka kërkuar prej dy muajsh qasje në këto kontrata, por menaxhmenti i RTK-së, me gjithë premtimet, nuk na ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara, po as nuk ka lejuar qasje në kontratat e lidhura më këto produksione.
Miliona për produksionet e jashtme
Askush nuk e di se sa mjete i shpenzon RTK duke i transmetuar gjashtë produksionet, “Milioneri”, “Oksigjeni”, “Jeta në Kosovë”, “Drejtësia në Kosovë”, “Kafeneja jonë” dhe “Pa Rrotlla”.
Nga persona brenda RTK-së, kemi marrë vesh që për këto produksione, RTK paguan miliona euro në vit.
Kuizi “Kush do të bëhet milioner”, paguhet rreth 17 mijë euro në javë (shifrat nuk mund të jenë të sakta, për shkak se nuk na është lejuar qasje në kontrata dhe nuk na janë kthyer përgjigjet për koston e këtyre produksioneve) dhetransmetohet disa minuta më herët në televizionin Klan të Shqipërisë. RTK, edhe pse nuk e ka ekskluzivitetin për këtë produkt, shpenzon mjete të buxhetit për ta paguar atë. Me një përllogaritje të thjeshtë, RTK për “Milionerin” jep në vit përafërsisht 800.000 euro.
“Milioneri” paguhet 17 mijë euro në javë,“Kafeneja Jonë” , 20 mijë euro në javë,“Pa Rrotlla”, 2 mijë euro në javë, “Oksigjeni”, rreth 8 mijë euro në javë, “Drejtësia në Kosovë” dhe “Jeta në Kosovë”, rreth 10 mijë euro.
Një produkt tjetër me kosto shumë të lartë që transmetohet në RTK, është seriali “Kafeneja Jonë”. Për të, ky televizion paguan 20 mijë euro në javë.
“Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, dy produkte të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), që marrin para të majme nga donatorë të ndryshëm dhe qëllim kanë luftimin e korrupsionit, paguhen hiç më pak se 10 mijë euro në javë nga buxheti i shtetit.
Milaim Zeka që udhëheq emisionin “Pa Rrotlla”, që fillimisht ishte produkt i RTK-së dhe tash paguhet si produkt i jashtëm, merr nga RTK dy mijë euro për realizimin e një emisioni.
“Oksigjeni” që tashmë është larguar nga RTK, është paguar për një emision rreth 8 mijë euro.
Xharra zvarritë përgjigjet sa paguhet nga RTK, plasin informatat anonime për korrupsion në RTK, kursejnë vetëm Xharrën
Gjatë zhvillimit të hulumtimit, Qendra Preportr, ka biseduar përmes telefonit me drejtoreshën e BIRN-it për Kosovë, Jeta Xharra, së cilës i është kërkuar përgjigje në lidhje me shumën të cilën RTK paguan për dy produktet të cilat BIRN i prodhon për televizionin publik, emisionet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, si dhe përmbajtjen e kontratës se çfarë produktesh BIRN mund të ofrojë për RTK-në. Xharra është kontaktuar me datën 11 shtator, ndërsa ajo ka kërkuar që përgjigjet t’i ofrojë pas 10 ditësh. Ndërkohë, vetëm pas dy ditësh , në adresat elektronike të të gjithë mediave dhe gazetarëve përfshi dhe adresat e Preportr, është shpërndarë një material i emërtuar si “Korrupsioni në RTK” nga adresa “antikorrupcionrtk@gmail.com”.
Në këtë material, në të cilin thuhet se është shkruar nga një punëtor i vjetër i RTK-së, i cili ka dashur të mbetet anonim, ofrohen materiale faktike sesi menaxhmenti dhe një pjesë tjetër e stafit të RTK-së është i përfshirë në keqpërdorime. Në një krahasim të çmimeve për produktet e jashtme, për të cilat paguan televizioni publik, çuditërisht theksohet diskrepanca ndërmjet një emisioni 20 minuta të quajtur “Super Gogo”, i cili thuhet se paguhet 3.800 euro, 300 euro më shtrenjtë sesa emisioni 90 minuta “Jeta në Kosovë”. Në këtë material të gjatë dhe në tri dokumentet e bashkangjitura, i vetmi produkt, i cili nuk akuzohet për keqpërdorime por përkundrazi lavdërohet për cilësi, është emisioni “Jeta në Kosovë”, i cili thuhet se punohet nga një ekip e tërë hulumtuesish.
Hulumtuesit e Preportr të premten kanë kontaktuar sërish drejtoreshën e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, për të marr përgjigje në lidhje me pagesën e produkteve të BIRN-it në RTK si dhe kontratën me televizionin publik. Xharra sërish nuk ka dhënë përgjigje menjëherë, por ka kërkuar një orë kohë. Pas një ore, ka kthyer një përgjigje përmes emailit, në të cilën ka thënë se “do të përgjigjem gjithsesi por mos më thuaj që 2 javë është shumë me pritë për një gazetar hulumtues – do i kesh përgjigjet javën tjetër ashtu siç të kam thënë në telefon”. Preportr, ka insistuar në përgjigjen e Xharrës, duke kërkuar vetëm shumën të cilën RTK e paguan për dy emisionet e BIRN-it dhe se çfarë produktesh mund të prodhojë BIRN për RTK, duke arsyetuar insistimin me faktin se për kaq informacion nuk varet nga asnjë faktor tjetër, por vetëm nga gatishmëria e tyre për të qenë transparent në lidhje me shpenzimin e buxhetit publik nga ana e RTK-së.
Keqpërdorimet me reklama
Vazhdimi i kontratave dhe përzgjedhja e produksioneve private pa konkurs publik bjen ndesh me Ligjin për RTK-në, respektivisht nenin 12 që flet për produksione të jashtme.
Në pikën dy të këtij neni thuhet se: “Me qëllim të realizimit të misionit, vizionit dhe objektivave të veta, drejt përmbushjes së shijeve, kërkesave, nevojave dhe interesave diverse të shikuesve dhe dëgjuesve të Kosovës, RTK për çdo vit do të shpallë konkurs publik për blerjen e veprave audiovizuele të produksioneve të pavarura, dhe t’i transmetojë në programin e vet në pajtim me ligjin dhe statutin e RTK-së”.
Në Ligjin për RTK-në, specifikohet se emetimi i prodhimeve të pavarura, që paguhen nga mjetet e RTK-së, përjashton çfarëdolloj reklame apo sponsorimi.
Kjo nuk ndodh me produktet që janë duke u transmetuar në RTK. Të gjitha kanë ose sponsorë, ose reklama, ose të dyja bashkë.
Argjentina Grazhdani, eksperte e medieve, shpreh shqetësimin e saj se keqpërdorimet më të mëdha mund të ndodhin në këtë pikë.
“Raporti i RTK-së për vitin 2010 nuk përmbanë informacione lidhur me marrëveshjet që RTK ka me produksionet private për kohën e reklamimit gjatë transmetimit të tyre. Kjo është pika kryesore ku keqpërdorimet kanë mundësi të ndodhin. Kjo, së bashku me mungesën e transparencës gjatë përzgjedhjes dhe koston e produksioneve veç e veç, lënë shumë për të dëshiruar për transparencën e RTK-së”, thotë ajo.
Mundësinë e keqpërdorimeve me reklama e përmend edhe Auditori i Përgjithshëm në raportin e auditimit për RTK-në për vitin 2010.
“Oksigjeni nuk e ka të paraparë me kontratë të transmetoje hapësirë publicitare, por vazhdon ta bëje një gjë të tillë. RTK për shërbimet që i ofron Oksigjeni paguan shumën e kontraktuar duke e zbritur për vlerën publicitare të transmetuar gjatë programit ( hapësira publicitare nuk është e lejuar nga RTK). Megjithatë, RTK ka aplikuar ndalesat (penalizimet) për hapësirat publicitare, mirëpo kjo vlerë nuk është e përcaktuar qartë dhe ne nuk kemi siguri që është duke u bërë kompensimi si duhet”, thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral. Në këtë raport thuhet se rregullorja që e mbulon çështjen e të hyrava ka shumë paqartësi.
Konfliktet e interestit
Në vitin 2010, RTK për produksione të jashtme kishte paguar pak më shumë se 200 mijë euro. Me ligj RTK është e obliguar që 15 deri në 20 përqind të programit ta mbulojë me produksione të jashtme. Rrjedhimisht, për këto produksione i duhet t’i shpenzojë 15-20 përqind të buxhetit që sillet diku 8-9 milionë euro.
Shuma prej 200 mijë eurosh e shpenzuar nuk është në përputhje me obligimet ligjore që i ka RTK dhe mjeteve që i merr nga Buxheti i Kosovës.
Në vitin 2011, transmetuesi publik kishte përzgjedhur 10 produksione të jashtme. Në këtë vit ishin transmetuar edhe këto 6 produksionet tjera, por nuk dihet se sa mjete janë shpenzuar për të gjitha. Ajo që dihet është fakti se RTK u ka mbetur borxh shumë produksioneve, dhe obligimet ndaj tyre ka vazhduar t’i shlyej edhe brenda këtij viti.
Në Ligjin për RTK-në, specifikohet se emetimi i prodhimeve të pavarura, që paguhen nga mjetet e RTK-së, përjashton çfarëdolloj reklame apo sponsorimi.Kjo nuk ndodh me produktet që janë duke u transmetuar në RTK. Të gjitha kanë ose sponsorë, ose reklama, ose të dyja bashkë.
“Sipas raportit të fundit të publikuar në sajtin e RTK-së, shuma vjetore që ky television shpenzon për produksione të jashtme është pak më shumë se 200 mijë euro. Pyetja qëndron: a paraqet kjo shumë 20 përqind të buxhetit programor të RTK-së? Nëse supozojmë se kjo është e vërtetë, atëherë kjo do të thotë se buxheti programor i RTK-së është vetëm 1 milion euro. Nëse kjo është e vërtetë atëherë për çka përdorën 8 ose 9 milionë eurot e tjera të RTK-së? Se sa e përmbush RTK-ja obligimin ligjor të shpenzimit të 20 përqind të buxhetit programor, është një çështje e paqartë”, thotë ajo.
Në këtë raport që e përmend Grazhdani, i publikuar në vitit 2010, Rrahman Paçarizi, kryetar i Bordit të RTK-së qe mburrur se për herë të parë në këtë vit, RTK ka shpallë konkurs publik për produksione të jashtme, ashtu siç obligohen me ligj.
Aty ai nuk pati përmendur se njëri prej anëtarëve të Bordit, aktori Avni Abazi qe angazhuar në një rol në serialin “Qyteti pa lum”. Menaxhmenti në atë kohë angazhimin e një anëtari Bordi nga një produksion privat nuk e pati quajtur konflikt interesi. Për më tepër, muzikën për këtë serial e pati bërë Korab Shaqiri, djali i redaktorit të programit argëtues në RTK, Ilir Shaqirit.
Në këtë konkurs, me produktin e saj privat, ishte përzgjedhur edhe Anita Muja, gruaja e ish-këshilltarit të kryeministrit Hashim Thaçi, Shaip Mujës. Ajo ka realizuar për RTK-në emisionin“Estetika dhe shëndeti”.
Për Grazhdanin, angazhimi i produksioneve private ose individëve, pa e shmangur konfliktin e interesit e ka përcjellë RTK-në gjatë gjithë kohës.
“Janë tri pyetje kryesore që ndërlidhen me obligimin ligjor të RTK-së: Pyetja e parë ka të bëjë me “pavarësinë”, e këtyre produksioneve. RTK ka problem serioze me një pjesë të stafit të saj i cili lejohet të ndërlidh marrëdhënie me produksione dhe partnerë të jashtëm që mund të karakterizohen pa dilemë si konflikt interesi. Pyetja e dytë ka të bëjë me transparencën e procesit për përzgjedhjen e produksioneve të pavarura, dhe pyetja e fundit ka të bëjë me definimin e buxhetit programor të RTK-së”, thotë Grazhdani.
Borxhet e RTK-së
Sindikata e punëtorëve të RTK-së e udhëhequr nga Naser Thaçi ka ngritur zërin për kolapsin financiar që po e shoqëron këtë televizion. Ai ka thënë se RTK-në në një situatë të tillë e ka sjellë menaxhmenti i kaluar dhe ai i tashmi. RTK i ka borxh diku 3 milionë euro, një pjesë e të cilave është e trashëguar nga menaxhmenti i kaluar.
Këtu sipas Thaçit kanë ndikuar edhe çmimet shumë të shtren jta që RTK i paguan për produksionet private.
Punëtorët e RTK-së i kanë dy sindikata, por kjo që e udhëheq Thaçi, në kohën kur është themeluar në një konferencë për medie të mbajtur në zyret e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), pati kërcënuar se kontratat e lidhura nga RTK me produksionet private do t’i bëjë publike.
“… Ne i kemi të gjitha kontratat dhe e dimë saktë se cilat janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe cilat në mënyrë të paligjshme; i kemi edhe nënshkrimet e anëtarëve të menaxhmentit, të cilat do t’i publikojmë në momentin e duhur”.
Disa muaj më vonë Thaçi ka thënë për “Preportr”, se kontratat që RTK po i vazhdon prej disa vitesh me disa produksione po u vazhdohen atyre në mënyrë të paligjshme dhe janë lidhur në mënyrën më jotransparente.
Ndërsa më herët, drejtori i Televizionit të Kosovës Bekim Hasani, duke folur për borxhet për një nga mediet e Kosovës pati thënë se, RTK-ja veç produksioneve të jashtme, i ka borxh edhe KEK-ut dhe ujësjellësit.
“Në total, shuma e borxheve që ka RTK-ja korrespondon me shumën e shkurtuar të buxhetit të vitit të kaluar prej 2.7 milionë euro”, ka thënë Hasani.
Kuvendi për financimin e përkohshëm të RTK-së për periudhën tre-vjeçare ka paraparë të ndajë 0.7 për qind të buxhetit të përgjithshëm të Kosovës, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme./