Saturday, August 25, 2012
--
Arrestohen tre aktivistë të VV-së, lëshuan “fletëarrest” ndaj Thaçit
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se të shtunën, në orët e hershme të mëngjesit, në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, njësitet policore nga stacioni policor Qendra kanë ndaluar tre persona të dyshuar si aktivistl të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndalimi i këtyre personave të dyshuar, sipas policisë, është bërë për shkak se të njëjtit kanë bërë shpërndarjen e afisheve me përmbajtje “Urdhër arrest për Kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe tre ministrave të tjerë”.
“Afishet të cilat janë shpërndarë nga këta aktivistë kanë logon e Republikës së Kosovës dhe logon e Policisë së Kosovës. Kjo afishe në formë të memos së policisë është e falsifikuar nga ana e aktivistëve të “Vetëvendosjes” e cila njëherit përmban edhe numrin e rastit i cili po ashtu është i falsifikuar”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Prokurori kujdestar i rastit ka urdhëruar që të njëjtit të lirohen dhe rasti të shkojë në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës më tej shprehet e shqetësuar lidhur me veprimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë falsifikuar dokumentin policor dhe të njëjtin e kanë shpërndarë në lokacione të ndryshme të kryeqytetit.
PK-ja, me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe opinionit të gjerë, sqaron se aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë falsifikimin e dokumentit (afishet) të cilat kanë pas logo dhe përmbajtje policore, dhe se të njëjtin dokument kjo lëvizje e ka shfrytëzuar për aktivitete dhe qëllime politike.
“Me këtë rast informojmë opinionin publik dhe njëherit konfirmojmë se dokumentet e tilla të shpërndara nuk janë dokumente zyrtare të PK-së dhe si të tilla nuk mund të konsiderohen si dokumente zyrtare”, thonë zyrtarë të Policisë së Kosovës.